Belshi, perla e Dumresë

Rreth 30 kilometra në jugperëndim të Elbasanit shtrihet krahina e Dumresë, e cila është e njohur për liqenet dhe kodrat e pafundme me vreshta, apo ullishte. Në këtë zonë spikat si pikë turistike Belshi.

Karakteristikë për Dumrenë janë rreth 80 liqenet e krijuar si rezultat i shembjeve nga fenomeni karstik i përbërjes së tokës. Liqenet kanë një specifikë që mund të zhduken dhe rishfaqen sërish.

Liqeni i Marinzës në Belsh, përflitet nga banorët e zonës, që u zhduk dhe u rishfaq brenda një jave.

Nga këto liqene, dallojnë liqeni i Belshit, Çestijes, Seferanit, Merhojës, Përraskës dhe Çerragës.

Për të pasionuarit pas natyrës një vozitje në një prej këtyre liqeneve ofron pamje fantastike. Kryesisht lundrime me kanoe organizohen në liqenin e Seferanit. Ky liqen lidhet me antikitetin ku banorët e zonës për t’iu falur perëndeshës Afërdita hidhnin në liqen objekte me vlera qeramike.

Belshi dallon nga rreth 40 fshatrat që bën bashkë zona e Dumresë. Buzë liqenit, urbanizuar ndjeshëm vitet e fundit duke shkuar në mbi 13 mijë banorë, kjo qytezë ka përfituar ndjeshëm nga remitancat dhe kthimi i emigrantëve, të cilët kanë investuar ndjeshëm sidomos në agroturizëm.

Megjithatë Belshi ofron më shumë se liqenin, bujtinat dhe hotelet e bukura. Traditat e vjetra, me veshjet, këngët dhe vallet janë tipike në këtë zonë. Po kështu traditë janë dhe zanatet si për shembull punimi i metaleve.

Dumreja njihet gjithashtu për bimët mjekësore ndërsa kodrat e saj, sidomos ajo e Gradishtës është ndër më të njohurat pasi që atje mund të shihet në mënyrë panoramike e gjithë zona.

Në këtë kodër në vitet 70-të janë zbuluar gjetje të lashta arkeologjike si themele të një kalaje, veshje apo monedha ilire të fisit të parthinëve, eshtrat e prijësit të të cilëve janë gjetur dhe ekspozohen në një muze arkeologjik në Asparm, Austri.

*Tibo News.