Belind Kelliçi shpjegon premtimin për autobusët falas

Belind Këlliçi kandidon për Bashkinë e Tiranës dhe premtimi i tij që mori më shumë vëmendje, ishte transporti publik falas.

Në rrjet qarkullojnë një mori komentesh, mes atyre që e mbështesin dhe të tjerë që e krahasojnë me tramvajin që premtoi Lulzim Basha teksa kandidoi.

Në takimin e fundit me dy pensionistë, Manush Thanasi dhe Bardhylka Thanasi, Belind Këlliçi tha se transporti publik falas do të jetë me përfitime të shumëfishta për banorët e kryeqytetit.

Nga tranpsorti publik falas nuk do të përfitojnë vetëm 200 mijë përdoruesit ditor të tij, por sipas tij do të ketë edhe të tjera përfitime pasi do të ulet trafiku, ndotja dhe do të lehtësohen parkingjet.

‘Transporti urban me aq sa kushton, u lehtëson jetën 200 mijë qytetarëve në ditë që e përdorin. Përveç se ul koston e jetesës, sepse i heq atë 400 lekëshin për një rrugë, po 800 lekë vajtje-ardhje, po në muaj i kursen mesatarisht, një familje që e përdor, të pakten 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Me ato lekë ata mund të paguajnë ujë e drita, internet në shtëpi, pra është një ndihmë. Mund të marrin ilaçet pensionistët, pra ka shumë benefite. Nga ana tjetër, ul trafikun, ju e shihni çdo ditë se çfarë bëhet, edhe te rruga juaj është një trafik i tmerrshëm. Gjithashtu ul ndotjen e ajrit. Ne kemi sot numrin më të madh të fëmijëve azmatike në Europë, ndërkohë jemi një nga 10 kryeqytetet më të ndotura të Europës. Nuk e heqim dot fare, por e minimizojmë çështjen e parkimit”.

Belind Këlliçi shtoi se do ts ketë gjithashtu investime për të modernizuar jo vetëm flotën e autobusëve, por njëkohësisht për të përmirësuar edhe shërbimin në stacione.

“Prandaj kemi vënë dhe një fond tjetër, që është 5 milionë dollarë në vit, që nuk është asgjë për buxhetin e bashkisë Tiranë, për të shtuar numrin e autobusëve edhe për të marrë autobuzë modernë…se problemi është që këto autobusët, unë nuk jam për të paragjykuar ato rastet kur kanë pasur shoferët probleme shëndetësore, ajo mund t`i ndodh kujtdo dhe është një gjë, është fatkeqësi. Por, nga ana tjetër, një pjesë e autobusëve nuk u punojnë frenat, nuk janë të mirë, nuk janë komodë. Nuk janë mjaftueshëm me kushtet që i duhet një autobuzi për të qenë në kushte normale”.

*Tibo News