BE synon të ndalë kontrabandën e drogës në portet evropiane

Porti i Anversës në Belgjikë, i dyti nga madhësia në Europë, është kthyer në një pikë kyçe për transportimin e drogës. Presioni ndaj politikanëve europianë për të ndërmarrë masa që t’u mbyllen rrugët bandavë të kontrabandës së drogës është në rritje.
Për këtë është vendosur krijimi i një aleance europiane të porteve: “Ne po bashkohemi për të krijuar një rrjet që t’i japë fund një rrjeti tjetër: Ne po krijojmë një aleancë të porteve për luftuar kriminalitetin në të gjitha portet. Të luftohet kriminaliteti vetëm në një port, kjo do të bënte që kriminelët të spostoheshin në një port tjetër”, theksoi një zyrtare e BE-së në Bruksel.
Drogat vijnë kryesisht nga Amerika Latine, më së shumti nga Ekuadroi apo Kolumbia.
Mendohet se kriminelët mund të kenë paguar qindra mijëra euro ryshfete për punonjësit e porteve si dhe kanë kërcënuar ata e familjet e tyre për të mundësuar aksesin tek transportet e drogës. Porti i Holandës, Roterdam është gjithashtu në fokusin e hetuesve. Vitet e fundit në Holandë, Belgjikë e vende të tjera europiane janë vrarë gjatë akteve të dhunës së bandave të drogës mjaft njerëz ndër ta edhe hetues e avokatë të njohur.
Por edhe Gjermania është e prekur, sikurse u shpreh së fundit ministrja e Punëve të Brendshme Nancy Faeser: Trafikimi i drogës ka depërtuar edhe duke përdorur portin kryesor të Gjermanisë në Hamburg, tha ajo. Faeser tha më tej, se kartelet e drogës janë përgjegjëse “për një spirale të paimagjinueshme dhune” që drejtohet edhe ndaj gazetarëve e prokurorëve, të cilët kërcënohen me vrasje dhe se në Europë janë krijuar dhoma torturash. “Ndaj unë dua veprim më të ashpër dhe më ndërkombëtar kundër tregtisë së kokainës dhe drogës”, tha Faeser.
Edhe një zyrtare e BE-së thekson, se „kur jetët e njerëzve shfrytëzohen si një mjet për biznese joshëse e shkatërrimtare, dhuna kulmon më keq se në filmat me mafie. Sa më i fortë të jetë kundërshtari aq më kreativë, kooperativë e të guximshëm duhet të jemi ne me ligjet tona për t’iu kundërvënë atyre.”
Në aleancën e re të porteve synohet të forcohet gjithashtu bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kombëtare doganore dhe atyre të ndjekjes penale në nivel europian. Kështu synohet të vendosen teknologji të reja si skanimi i kontejnerëve për të përmirësuar sigurinë. Por autoritetet nuk duan të bëjnë publike shumë detaje në mënyrë që kriminelët të mos kenë njohuri për këto plane. Detyra është gjigante dhe autoritetet europiane e kanë të qartë që kjo luftë kërkon vullnet e këmbëngulje./DW