BE ndjen “të ftohtin” e izolimit të Rusisë, gazi shtrenjtohet si kurrë më parë

Evropa po fillon ta ndjejë koston e luftës në Ukrainë. Të hënën çmimi i gazit në tregjet e Bashkimit Evropian kaloi për herë të parë në histori shifrën e 3,600 dollarëve për 1 mijë metër kub. Një rritje me 67% krahasuar me periudhën e para luftës në Ukrainë.

Dhoma Holandeze Tregtisë (TTF) dhe Qendra Britanike e Tregtisë (ICE) raportuan një rritje me gati 350 dollarë të çmimit për megavat-orë në terma familjarë, duke qenë se gazi në BE kryesisht përdoret për termocentrale.

Çmimet vazhdojnë të rriten pasi kompanitë më të mëdha të tregtimit të hidrokarbureve kanë vendosur të zbatojnë sanskionet kundër Rusisë duke shmangur tërësisht tregtinë me kompanitë e drejtuara nga Moska.

Deri para pushtimit të Ukrainës, Rusia furnizonte rregullisht Europën me hidrokarbure, kryesisht me gaz. Por pas mësymjes ushtarake, shtete si Gjermania apo Franca, kanë rishikuar kontratat e nënshkruara me kompani si Gazprom.

Projekti i gazsjellësit “Nord-Stream 2” u anulua në mënyrë të njëanshme nga Berlini në shenjë proteste për pushtimin e Ukrainës, ndërsa portet e BE-së kanë mbyllur portat për anijet ruse.

Në Rusi mediat shtetërore pretendojnë se Gazprom po vijon t’i furnizojë europianët sipas kontratave në fuqi. Ndërkohë shtete si Gjermania po i hedhin sytë te vende të tjera për furnizim si Norvegjia, apo te burimet alternative të energjisë.