AlbanianEnglish

BE: Këtej e tutje do të ketë më shumë kthime të azilkërkuesve

Bashkimi Europian do të krijojë një sistem të përbashkët për kthimin e migrantëve pa të drejtë qëndrimi. Me këtë rregullore synohet të lehtësohen vendet si Gjermania. Prej vitesh Bashkimi Europian nuk po avancon me përpjekjet e veta për kthimin e azilkërkuesve pa të drejtë qendrimi. Tani Komisioni i BE-së në Bruksel ka ndërmarrë një nismë duke paraqitur një projektstrategji të re. Kjo ka të bëjë me faktin, se numri i hyrjeve të parregullta në BE në vitin 2022 është rritur. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë arsye për azil, megjithatë shumë prej tyre paraqesin kërkesë për azil. 920.000 kërkesa për azil janë paraqitur në vitin 2022 sipas Komisionit të BE-së. Kjo është një rritje me gati 50 përqind kundrejt një viti më parë.

Kryesisht duhet të bëhen më shumë kthime në vendet e treta, në të cilat nuk ka pengesa të mëdha politike apo probleme me të drejtat themelore. Projektstrategjia përmban disa propozime. Krahas forcimit të bashkëpunimit, që duhet të përshpejtojë rrjedhën e procedurave, është planifikuar, që migrantët të mbështeten profesionalisht në rrugën e riintegrimit në vendin e origjinës. Gjithashtu i tërë procesi do të digjitalizohet. Shumica e kërkesave për azil janë paraqitur në Gjermani, Francë, Spanjë dhe Austri. Në raport me numrin e popullsisë Qiproja, Austria dhe Greqia janë të mbingarkuara. Për bashkëpunimin me vendet e treta për kthimin do të diskutojnë të enjten edhe ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së gjatë takimit të tyre në Stokholm.

You don't have permission to register