BE-ja kërkon tërheqjen e Rusisë nga njohja e rajoneve të Ukrainës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar nga Moska që ta tërheqë vendimin e njohjes së dy rajonet lindore të Ukrainës si shtete të pavarura.

Borrell përmes një deklarate në emër të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, tha se Moska me këtë veprim po minon edhe më tej sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Për BE-në një gjë e tillë është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjes së Minskut.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë, si palë e konfliktit, që të tërheqë njohjen, t’i përmbahet zotimeve, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’iu rikthehet diskutimeve në formatin e Normandisë dhe të Grupit Trelateral të Kontaktit. Ne po ashtu u bëjmë thirrje shteteve të tjera që të mos e ndjekin vendimin joligjor të Rusisë për të njohur këto rajone”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se blloku evropian do të ndërmarrë masa ndaj Rusisë dhe ndaj individëve dhe entiteteve që janë përgjegjëse për minimin e integritetit territorial të Ukrainës. Sipas Borrellit, këto veprime do të koordinohen me partnerët.

“Ne e paralajmërojmë Rusinë që të mos shfrytëzojë paktet e reja që ka nënshkruar me ‘republikat’ e vetëshpallura si pretekst për të ndërmarrë veprime të mëtejmë ndaj Ukrainës. BE-ja është e gatshme të miratojë sanksione të gjera politike dhe ekonomike”, tha Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian.

Më 21 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska njohu rajonin e Luhanskut dhe Donjeckut si entitete të pavarura. Këto rajone kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Ky konflikt nisi në pranverën e vitit 2014 dhe deri më tani ka marrë jetën e mbi 13,200 persona.