
BE e gatshme për masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë
Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së kishte ujdi, se Kosova dhe Serbia do të përballen me masa ndëshkuese nëse nuk shënojnë përparim në shtensionimin e situatës. Masat parashikohen të jenë politike e financiare.
Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg u shpreh të hënën ( 26.06) , se vendet anëtare të BE-së do ishin të gatshme të ndërmerrnin masa si ndaj Kosovës edhe Serbisë nëse nuk shënohet përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Borrell i informoi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare për situatën në veri të Kosovës dhe bisedimet e ndara të javës së shkuar që kishte me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Vuҫiq.
Borrell: Duhet të zhvillohen zgjedhjet e reja
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës, të cilët më 14 qershor u arrestuan nga policia e Serbisë dhe theksoi nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri. “Pajtohemi që zgjedhjet duhet të mbahen. Nuk mund të kemi kryetarë komunash në zyrat që mbrohen nga forcat e NATO-s përgjithmonë, duke u zgjedhur me 2 ose 3 për qind të votuesve. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me zgjidhje të tjera dhe zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të dyja palët. Zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve, përndryshe do të jetë e njëjta situatë si sot”, tha Josep Borrell.
Kërkesat e BE për Kosovën dhe Serbinë
Javën e shkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiq ishin në Bruksel, por nuk u takuan me njëri tjetrin. Të dy zhvilluan takime ndarasi me ndërmjetësit evropianë, por nuk u shënua asnjë përparim në dialog, veç zotimit për ulje të tensioneve. Bashkimi Evropian i ka kërkesat e qarta: Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht duhet t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. E nga Serbia ndërkaq kërkohet që të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Nëse nuk do të ketë përparim në këto pika, masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë, “do të jenë politike dhe financiare”, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Antony Blinken angazhohet për zgjidhjen e situatës në veri
Së fundmi përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare që të ulin tensionet ndëmjet Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi të hënën biseda të ndara telefonike me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuҫiq për tensionet në veri të Kosovës. “Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbë në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit”, thuhet në njoftim.