BBC komenton këngën e Albina Kelmendit në Eurovision

Pas fitores në Festivalin e Këngës, familja Kelmendi do të shkojë në Eurovision, por e gjitha kjo është shoqëruar me kritika të shumta në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por së fundmi edhe në BBC është komentuar kënga jonë përfaqësuese në festivalin europian, teksa shkruhej se nuk pritet ndonjë arritje e madhe.

“Në një sinkronitet tipografik, Albina është përfaqësuesja e Shqipërisë për vitin 2023. Një ish-nënkampione në “The Voice”, ajo po interpreton “Duje”, një baladë dramatike për familjet që ndahen dhe ndikimin që ka te fëmijët. Performanca përfundon me Albinën që rrëzohet në gjunjë e përlotur.

Vargjet e pasionuara të Albinës ndërtohen në një kor tërheqës, duke shfaqur vokale në sfond nga familja e saj, por në përgjithësi është mjaft e rëndë si këngë.

Parashikimi: Gjysma e poshtme e tabelës së vendeve kryesore”, shkruan BBC.

Nga sot ngelen 40 ditë derisa java e “Eurovisionit” të nisë me një ceremoni madhështore në Liverpool, më 9 maj. Të 37 këngët janë dorëzuar, dhe artistët janë duke u bërë gati për festivalin më të madh europian.

BBC rendit Francën si fituese të mundshme dhe gjithashtu Suedinë, me fituesen e vitit 2012 Loreen, ndërkohë Spanja parashikohet si një ndër tre më të mirat.