Bashkitë Vorë dhe Kavajë drejt falimentit

Bashkitë Vorë dhe Kavajë do të merren nën administrim nga pushteti qendror. Shkak është bërë situata e rëndë financiare. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dy bashkitë rrezikojnë të shpallin falimentin.

Ministria e Financave ka shpallur thirrjen për të kontraktuar administrator të përkohshëm që të menaxhojë bashkitë në vështirësi të rëndë financiare. Në total borxhi që kanë 61 njësitë vendore në Shqipëri është 55 milionë euro, ku vlerën më të madhe e ka Kavaja 7 milion euro, Tirana 5.4 milionë euro dhe Vora me 4.3 milionë euro.

Detyrimet e bashkisë Tiranë nuk vlerësohen problematike për qeverinë, pasi buxheti i saj është më i madh në raport me njësitë e vogla.Në vështirësi financiare vlerësohen të jenë edhe bashkitë Roskovec, Poliçan, Cërrik, Malësi e Madhe, dhe Belsh.