Bashkia Tiranë nderon Behgjet Pacolli me “Çelësin e Qytetit të Tiranës”

Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli u nderua dje pasdite me “Çelësin e Qytetit të Tiranës” nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në ceremoninë e posaçme, ku mori pjesë edhe zv. kryeministri Arben Ahmetaj, Veliaj e falënderoi në mënyrë të veçantë ish-Presidentin Pacolli për kontributin e tij në rindërtimin e Thumanës, zonës më të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në fjalën e tij, Veliaj falenderoi Behgjet Pacollin duke thënë se lajmi se ish-Presidenti do të dhuronte 1 milion dollarë për familjet e dëmtuara nga tërmeti ishte një nga lajmet më të bukura në atë kohë të vështirë.

“Duhet të jetë gjithmonë dikush që e nis i pari dhe kam shpresuar që shembulli juaj do të inkurajojë edhe të tjerët, si një efekt domino, ku dominoja e parë ishit ju dhe të ndjerët ju ndoqën”, tha Veliaj.

Behgjet Pacolli falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vlerësimin dhe u shpreh se do të vijojë të mbështesë projekte me rëndësi për kryeqytetin dhe qytetarët shqiptarë. Sipas Pacollit, pavrësisht se për herë të parë ka ardhur në Tiranë kur ka qënë vetëm 28 vjeç, ai ka qënë i lidhur gjithmonë me këtë qytet.

“E kam shijuar mirësinë, shpirtin, e popullit shqiptar këtu. U jam mirënjohës për këtë, nga thellësia e zemrës dëshiroj që të punosh edhe më tutje, e dimë se je duke punuar shumë, por është një fakt shumë i vërtetë se kush punon shumë, ai ka edhe më shumë punë përpara sepse i krijon vetes punë. Puna është e madhe, sfidat janë të mëdha, puna e mbarë të qoftë, ne do të jemi aty që t’ju mbështesim nëse mundemi”, iu drejtua Pacolli Veliajt.

Zv. kryeministri Arben Ahmetaj tha se pas tërmetit të 2019, Behxhet Pacolli erdhi në Tiranë dhe vendosi të kontribuojë në Thumanë vetëm se ia kërkoi shqiptaria.

“Faleminderit për atë kontribut të ndjerë, të thellë dhe të konsiderueshëm që ti ke dhënë në ato momente të vështira,” tha Ahmetaj.

Behgjet Pacolli është aktualisht biznesmen i njohur, i cili shërbeu si zëvendëskryeministër i parë i Kosovës dhe ministër i Punëve të Jashtme nga viti 2017 deri në vitin 2019 nën qeverinë e Ramush Haradinajt.