
Basha i rikthehet “skenës politike” me një takim me të rinjtë
Sot, Demokrati Lulzim Basha ka shfaqur me një takim rikthimin e tij në skenën politike pas një periudhe të gjatë shkëputjeje.
Në një takim të mbajtur sot me të rinjtë, tema kryesore ishin zgjedhjet e 14 majit dhe ndjesia e “zhgënjimit”, siç e quajti Basha, që qytetarët kanë shprehur me pjesëmarrjen e ulët në votime.
“Unë kam dhënë dorëheqjen, por t’i lëmë formalitetet. Nuk ka nisur akoma ndonjë fushatë, duhet të flasim në mënyrë sa më të relaksuar, ju falenderoj për mbështetjen. Do kemi kohë dhe për tjerat. Rinia është gjithmonë aktive, por politika i thërret për hallet e veta dhe kjo ka shumë kohë, 33 vite.
Vjen një moment kur njerëzit thonë mjaft dhe të parët që kanë folur me heshtjen e tyre kanë qenë të rinjtë. Unë nuk e shoh vetëm si indiferencë, mendoj se ka diçka më shumë që në veçanti politika duhet ta analizojë. Bojkoti, 300 mijë më pak se në zgjedhjet e kaluara është një mesazh ku baza është se nuk e shohin veten tek ofertat, nëse ka oferta”, tha Basha.
Basha ka përcjellë mesazhin se bojkoti i qytetarëve nuk është shprehje e indiferencës, por një mënyrë për të dërguar një mesazh politik. Ai gjithashtu ka theksuar se gjatë fushatës zgjedhore, përhapja e gjuhës së talljes ka marrë vendin e ofertave konkrete.
“Politika ka treguar që në vend të mos riciklojë të vjetrit, bën pikërisht të kundërtën. Si do të krijohet hapësira për të rinjtë, si do të hapet rruga për të rinjtë?! Politika në këtë moment ka humbur çdo të drejtë që t’i kërkojë besim shoqërisë, jo me fjalë, por me vepra. 14 Maji është data e skadencës përfundimtare e sistemit politik në Shqipëri”, u shpreh ai.