
Barrierave mes Shqipërisë e Kosovës po iu vjen fundi!?
Thjeshtësimi i procedurave doganore mes Kosovës e Shqipërisë, ulja e pritjes në pikat kufitare dhe vendosja e zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit janë disa lehtësira tregtare midis dy vendeve, që së shpejti pritet të marrin karakter ligjor.
Qeveria e Kosovës ka miratuar më 26 janar Projektligjin për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollin e hyrjes e daljes së mallrave. E njëjta masë është miratuar edhe nga Qeveria e Shqipërisë.
Bëhet fjalë për dy marrëveshje që dy vendet kanë nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverive, që u mbajt më 26 nëntor të vitit të kaluar në Elbasan.
Brenda disa ditësh, projektligji pritet të dalë për miratim edhe në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë janë ankuar prej vitesh se Shqipëria vendos barriera tregtare kur produktet e tyre i eksportojnë në këtë vend, ose kur Shqipërinë e përdorin si kalim transiti, drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Përshpejtimi i procedurave të transitit, po ashtu, është një nga pikat e marrëveshjeve për lehtësira tregtare, të arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e fundit të qeverive të tyre, kanë premtuar se do t’i eliminojnë të gjitha barrierat tregtare që kanë bizneset e dy shteteve.
Kosova dhe Shqipëria kanë investuar miliarda euro ndër vite në infrastrukturën rrugore që i lidh ato.
Vlera e produkteve të shkëmbyera mes dy vendeve dallon. Në vitin 2020, Shqipëria eksportoi në Kosovë mallra në vlerë prej afro 200 milionë eurosh, ndërsa Kosova në Shqipëri mallra në vlerë prej mbi 110 milionë eurosh.