Bardhi padi në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një padi në të cilën ai kërkon heqjen e mandatit të deputetes së PS-së, Olta Xhaçka.

Padia e Gazment Bardhit erdhi pas vendimit të Parlamentit ku me shumicë votash rrëzoi dhe nuk lejoi që të shkonte në Kushtetuese kërkesa e PD për të shqyrtuar mandatin e Olta Xhaçkës.

I shoqëruar nga deputetet Çupi dhe Albana Vokshi, Bardhi deklaroi se Gjykata Kushtetuese do duhet të mblidhet me shpejtësi për të rivendosur nderin në vend.

“Jemi paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën e 44 deputetëve kundër vendimit politik të Edi Ramës për t’i dhënë mbrojtje nga drejtësia deputetes së mazhorancës Olta Xhaçka. Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur veten sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një çështje që ka të bëjë me autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, pa asnjë vonesë të mëtejshme do duhet të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga shumca parlamentare. Nuk ka ndodhur kurrë që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndodh për herë të parë që teksa SPAK është duke hetuar grabitjen masive të një prone prej 11 mijë metër katrorë tokë nga famlja  e ish-ministres së Jashtme, Kuvendi t’i përcjellë një mesazh duke refuzuar të zbatojë vendimet e drejtësisë”.