Bardhi e Noka përplasen ashpër me Açkën e Bakiun në komision

‘Një sulm më tepër se shkelje e rregullores dhe e etikës’. Kështu e quajti kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ‘sulmin’ e deputetëve Gazment Bardhi dhe Flamur Noka ndaj kreytares së komisionit të medias Flutura Açka. Videot e publikuar në rrjet tregojnë se çfarë ka ndodhur.

Në një reagim mbi incidentin e ndodhur, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla shprehet se Bardhi dhe Noka i kaluan caqet e dhunës verbale, dhe se për këtë tregojnë qartë pamjet e publikuara.

Reagimi:

“Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dënon sjelljen e deputetëve Gazment Bardhi dhe Flamur Noka ndaj Kryetares së Komisionit të Medias, znj. Flutura Açka. Dënoj ashpërsisht ngjarjen shumë të rëndë që ndodhi sot në Komisionin e Medias të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, jo vetëm penguan me dhunë zhvillimin e mbledhjes së Komisionit, por fyen rëndë Kryetaren e Komisionit, deputeten e nderuar Flutura Açka.

Ky sulm i paprecendent ndaj një zonje deputete të Kuvendit të Shqipërisë, është shumë më tepër se shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe e etikës së sjelljes së deputetit. Në një kohë kur Kuvendi është duke punuar për ashpërsimin e  legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në  mjediset e tij, në një sallë mbledhjesh ku duhet të zhvillohet debat për ligjet dhe prej nga duhet të rrezatohet edukatë dhe qytetari, në sy të kolegëve, medias dhe gjithë qytetarëve, dy deputetë ushtrojnë dhunë ndaj një kolegeje të tyre, deputete dhe Kryetare Komisioni. Dhuna e ushtruar prej deputetëve Bardhi dhe Noka i kaloi caqet e dhunës verbale, dhe për këtë flasin pamjet e transmetuara nga media.”

Pas kaosit në Kuvend nisur në muajin Tetor, mbledhja e parë e këtij viti  e Komisionit të Medias ka rikthyer deputetët e të dyja palëve në tryezë, por  edhe përplasjet. Mbledhja drejtohej nga deputetja e PD-së Flutura Açka, teksa Flamur Noka i Rithemelimit dhe Gazment Bardhi tentuan për t’ja ndërprerë fjalën, duke prekur e tërhequr mikrofonin dhe duke bllokuar punimet e komisionit.