Barazimi me Kroacinë, flet Duka: Meritonim më shumë se 1 pikë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka reaguar në rrjetet sociale fill pas barazimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë, ndeshje e Euro 2024.

Kreu i FSHF-së ka thënë se kuqezinjtë zhvilluan një lojë të mirë dhe se kishin mundësi që ta mbyllnin ndeshjen që në pjesën e parë. Megjithatë, siç shprehet Armand DUka, pavarësisht disavantazhit, lojtarët treguan karakter!

“Kjo skuadër na bën çdo ditë e më shumë krenarë! Sot ndaj Kroacisë kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe meritonim shumë më shumë se një pikë. I kishim mundësitë dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Nuk e bëmë dot, e pamë veten në disavantazh dhe sërish djemtë treguan karakter dhe ia dolën të barazojnë. Dëshira ishte e madhe të fitonim, por ky është futbolli dhe na duhet të pranojmë rezultatin”, tha Duka.

Tani sytë janë nga Spanja, ku Duka kërkon nga lojtarët e Shqipërisë që të futen në fushë për të dhënë më të mirën.

“Kam shumë besim tek ekipi, siç duhet të kenë gjithë shqiptarët”.