Bankat shqiptare kredi në Ukrainë

50 milionë euro të aseteve të sektorit bankar shqiptar janë të ekspozuara ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë si kredi e dhënë në këto shtete. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se kjo shumë nuk përbën problem për sistemin vendas, pasi zë 0.34% të totalit të aseteve  bankare.

“Vetëm 0.34% e aseteve janë të ekspozuara si kredi e dhënë për rezidentët në këto vende”, tha Sejko. Po ashtu kreu i Bankës Qendrore tha se 1 bankë shqiptare ka blerë letra me vlerë të shtetit rus.Në një raport të detajuar të dërguar pranë kryeministrit, Banka e Shqipërisë ka analizuar rreziqet që mund të vijnë nga konflikti Rusi-Ukrainë.

Në raport rezulton se disa banka që kanë degë në Shqipëri kanë filiale në këto shtete, por risku i ekspozimit të tyre është i ulët. Të vetmin sinjal të kuq, Banka Qendrore vlerëson nivelin e lartë të inflacionit, i cili për këtë vit do të jetë 6.2%, duke shënuar rritjen më të lartë të dekadës së fundit.