
Bankat refuzojnë kreditë, bizneset në vështirësi
Norma e refuzimit të kërkesave për hua arriti 3 pikë mbi mesataren afatgjatë në tremujorin e dytë të vitit. Kriza e çmimeve dhe situata e vështirë ekonomike kanë ngurtësuar sistemin bankar që të miratojë financimet për segmentin e korporatave. Pavarësisht refuzimeve, kërkesat për kredi të biznesit kanë qenë të larta në këtë periudhë, kryesisht në hua për likuiditet dhe investime.
Sipas të dhënave që raportojnë bankat e nivelit të dytë, kërkesa për kapital pune arriti nivelin më të lartë historik. Bankat kanë rritur normat e interesit për kreditë që kanë dhënë, duke llogaritur më lart riskun e huasë por dhe si rrjedhojë e rritjes së normave bazë të interesit për lekun, euron dhe dollarin nga bankat qendrore. Interesi mesatar për kreditë e bizneseve u rrit në 5.9% në muajin maj krahasuar me 5.1 që ishte një vit më parë.