Balluku: Në 2024 bileta elektronike dhe shtim të autobusëve

Ministrja e Transportit dhe e Infrastrukturës, njëherazi edhe zv.kryeministrja, Belinda Balluku, është shprehur se në 2024 do të ketë një vëmendje të shtuar për transportin publik.

“Kemi vendosur që gjatë vitit 2024 të procedojmë me krijimin e një agjencie sa i përket transportit publik, një agjenci e cila padyshim do të ofrojë shërbim të unifikuar në mbarë vendin, do të ofrojë një biletë elektronike për të gjithë për të evituar çdo evazion fiskal, por nga ana tjetër dhe çdo abuzim me udhëtarët, por mbi të gjitha duke i dhënë një mundësi të re transportit publik me ngritjen e stacioneve të mirëfillta të transportit publik në çdo qytet apo me teknologji të re. Është në planet tona dhe kërkesa për rinovimin e flotës së transportit publik duke u mbështetur nga garancitë e qeverisë shqiptare për t’i dhënë mundësi të gjithë kompanive që duan të operojnë në këtë fushë, patjetër që të kenë facilitete dhe mbështetjen e shtetit, por nga ana tjetër që ata të operojnë në bazë të kritereve të mirëmenduara, studiuara dhe vendosura që do të kthehen në tregues vlerësimi”, u shpreh ajo.

E njëjta strategji do të përdoret edhe për turizmin.

“DPSHTRR, bashkë me MIE po punojnë prej një viti për një nga agjencitë më të rëndësishme në vend, turizmi. I referohemi shpesh turizmit, pasi turizmi tashmë është një nga sektorët e ekonomisë më të rëndësishëm në vend të cilit duhet t’i përgjigjen të gjithë sektorët jetikë siç është energjia, shëndetësia, transporti apo çdo sektor tjetër. Ky numër i konsiderueshëm vizitorësh kërkon jo vetëm infrastrukturë rrugore, por kërkon që të ketë edhe një transport publik, modern që t’i përgjigjet kërkesës. E kemi diskutuar disa herë me disa prej ambasadorëve tanë, sidomos ata që ndodhen në shtetet e Europës veriperëndimore që për vizitorët, transporti publik është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ministrja Belinda Balluku gjatë analizës vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.