Balenciaga ia kushton shfaqjen e modës luftës në Ukrainë

Firma e njohur e modës Balenciaga  hapi sfilatën në Paris me lutje e qirinj të ndezur, për nder të Ukrainës dhe viktimave të luftës.

Gjithçka ishte ndryshe, ideuar nga drejtoresha krijuese e koleksionit të ri vjeshtë/dimër 2022, me modelet që u ngjitën mbi pasarelën me dëborë, me çizmet në takë të lartë e pellush të rëndë veshur.

Për drejtoreshën krijuese të Balenciagës, Demna, hapja e sfilatës  ishte edhe një gjest personal.

Lufta në Ukrainë ka lënë trauma në jetën e saj që prej vitit 1993, kur e njëjta gjë ndodhi me vendlindjen e saj. Asokohe vetëm 12 vjeçe, Demna ishte një nga 250 mijë gjeorgjianët që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre prej separatistëve në rajonin e Abkazisë gjatë luftës civile.

Në secilën prej 525 ulëseve për të ftuarit, ishin vendosur 525 flamuj ukrainas.

Pjesë e koleksionit të ri, të krijuar shumë përpara se lufta në Ukrainë të nisë, e të prezantuar gjatë Javës së Modës në Paris, ishin veshjet me silueta të guximshme, xhaketat e lëkurës, xhins apo edhe tuta.