
Bajana Çeveli, zëri i grave të dhunuara prej luftës së Kosovës e deri sot
Bajana Çeveli është zëri i gruaje, nëne dhe vajzë, misioni i saj i vetëm ka qenë ndihma e ofruar ndaj shtresave vulnerabël, grave dhe fëmijëve, e cila do të niste në vitin 1999 në kohë të vështira për Ballkanin. Bajana ishte pikënisja në rrugën e vështirë të sfidimit të mentalitetit patriarkal dhe ndryshimit të stereotipave gjinore, jo vetëm në qytetin e Durrësit por në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe vazhdon ende sot.
Në një shoqëri që mban vendin e parë në Evropë për numrin e vrasjeve nga partnerët intimë, Bajana ka zgjedhur të jetë zëri i atyre që çdo ditë dhunohen, përdhunohen e vriten. Me këtë mision Bajana së bashku me të tjera gra e vajza vendosën të themelonin Shoqatën e Grave me Probleme Sociale, Durrës (SHGPS), sot Shoqata Gender, Paqe e Siguri. Projektet e para nisin në vitin 2000 me krijimin e qendrave për grupet e veçanta të shoqërisë, fillimisht Qendra për gra dhe vajza, Qendra Rinore, Qendra ditore e të moshuarve Durrës.
https://youtu.be/_uEU2-Sef0Y
Prej fillesave të veta e deri në sot, pas gati dy dekadash qëllimi i saj mbetet i njëjtë. Në vitet 2000 gratë dhe vajzat në Shqipëri ndodheshin në mëshirë të fatit.
Pavarësisht vështirësive, hapi i parë konkret, ishte miratimi i Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në familje (SKBGj-DhF) 2007-2010 dhe miratimi i Ligjit “Për Masa Ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”.
Bajana ka qenë dhe vazhdon të jetë zëri dhe imazhi i të gjitha atyre grave që sot nuk janë më për shkak të dhunës, i atyre grave që në heshtje i nënshtrohen dhunës, i atyre që kërkojnë të rrisin familje të shëndetshme. Ajo është frymëzimi dhe mbështetja e çdo vajze dhe gruaje që do të thyejë ciklin e dhunës, që kërkon të ndryshojë mënyrën e të menduarit e kërkon të vendosë vetë për jetën e saj.