Azgan Mërnica rrëfen krimin ndaj policit: E qëllova me plumb sapo ktheu shpinën

Efektivi i policisë Novruz Cenalia, u vra në një prej rrugëve të fshatit Baltëz të Fierit. Ai pa një makinë me shpejtësi kur gati sa nuk u përplas me të. Ai i beri shenjë shoferit të ndalonte dhe pasi zbritën nga makinat ata shkëmbyen fjalë. Një moment që efektivi 28-vjeçar u kthye nga makina e tij, Azgan Mërnica nxorri pistoletën dhe e qëlloi pas koke duke e lënë të vdekur në vend.

Vetë 23-vjeçari, e ka treguar ngjarjen, teksa dha dëshminë e tij para grupit hetimor.

“Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe u shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke”.

Ndërsa sa i përket arratisë i riu ka thënë se gjatë 48 orëve që kërkohej nga policia ka lëvizur duke u fshehur nëpër kanale. Ai kishte dy ditë pa ngrënë dhe për këtë arsye u detyroua të shkonte tek shtëpia e dajës së tij. Aty më pas të afërmit e bindën që të vetëdorëzohej, nga frika se mos qëllohej dhe vritej nga forcat RENEA.

Azgan Mërnica akuzohet për vrasjen e punonjësit të policisë dhe për armëmbajtje pa leje.