
Autori britanik Timothy Garton Ash nderohet me ‘Çelësin e Qytetit’
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në takim studiuesin dhe autorin britanik Timothy Garton Ash, i cili ndodhet në Tiranë për të prezantuar librin e tij “Homelands”, i përkthyer në shqip me titullin “Vendet e mia”.
Veliaj i dhuroi autorit “Çelësin e Qytetit” dhe e falenderoi për kontributin e dhënë për Tiranën. Historiani Timothy Garton Ash tha se ndihet vërtet i mirëpritur në Tiranën që e gjeti totalisht të transformuar dhe që është kthyer në një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët në Europë.
Timothy Garton Ash është autor i 11 librave, të cilët fokusohen te transformimi i Evropës gjatë gjysmëshekullit të fundit. Ai është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit, studiues dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoover, Universiteti i Stanfordit dhe gjithashtu analist i rregullt i çështjeve ndërkombëtare në të përditshmen britanike, “The Guardian”.