
Australia hap kufijtë për të vaksinuarit
Australia ka vendosur të rihapë kufijtë pas dy vitesh, për turistët e vaksinuar dhe ata që kanë vizë. Rihapja do të nisë nga 21 shkurti, dhe do të mirëpritet nga shumë sektorë.
Australia ka zbatuar disa prej masave më të rrepta kufitare gjatë pandemisë së koronavirusit. Në mars të vitit 2020, Qeveria vendosi të mbyllë tërësisht kufijtë. Shumicës së të huajve u është ndaluar hyrja me qëllim të largimit të pandemisë.
Kryeministri i vendit, Morrison ka thënë se ata që hyjnë në Australi duhet të kenë dokument vërtetimi të vaksinimit.
Udhëtarët e pavaksinuar, të cilët kanë arsye shëndetësore pse nuk janë imunizuar, duhet të sigurojnë përjashtim nga rregulli i vaksinimit, dhe më pas do duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës.
Sipas të dhënave nga Johns Hopkins, autoritetet australiane kanë regjistruar më shumë se 2.7 milionë raste me koronavirus dhe 4,248 viktima. Rreth 80 për qind e popullsisë është e vaksinuar plotësisht.