“Askush nuk e priste sulmin kibernetik të Iranit ndaj nesh”

Askush nuk e priste sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.

Kështu u shpreh ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka teksa mbante fjalën në konferencën për Sigurinë Kibernetike.

Xhaçka tha se sulmi i Iranit ishte i përmasave të mëdha, aq sa edhe shtete më të fuqishme nuk do t’i rezistonin.

Pjesë nga deklarata e ministres Xhaçka:

-Sulmi i 15 korrikut ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit.

– Ishte një vendim i padëshiruar nga ne, por që besoj që i bën nder Shqipërisë, fakti që pas këtij sulmi ne shkëputëm marrëdhëniet diplomatike me Iranin. 

-Sulmi ishte krejtësisht i paprovokuar. Askush nuk e priste një sulm të këtyre përmasave e aq më pak një sulm të organizuar nga një aktor shtetëror.

-Kolegët e AKSHIT e AKCESKUT më kanë treguar më pas, që sistemet tona qeveritare, infrastruktura jonë digjitale i nënshtrohet çdo ditë – çdo ditë – një numri të jashtëzakonshëm sulmesh kibernetike nga individë e organizata kriminale, por këto sulme nuk ia kishin dalë kurrë të komprementonin këto sisteme.

 -Ajo që ndodhi në 15 korrik ishte diçka e një magnitude e shkalle krejtësisht të re sigurisht. Ky ishte një sulm të cilit nuk do t’i kishin rezistuar dot më mirë  as vende me shumë më tepër eksperiencë, me kapacitete shumë më të mëdha, e me resurse financiare shumë herë më të mëdha sesa tonat.

-15 korriku ishte një akt agresioni shtetëror të paprovokuar kundër një vendi të pavarur e sovran. Nuk u sulmuam me raketa e me dronë e eksplozivë dhe nuk pati ndërtesa të shkatërruara e të vrarë nëpër rrugë, kjo eshte e vertete.

 -U sulmuam me kode e tastiera por nëse sulmi do të kishte qenë i suksesshëm në nivelin e parashikuar nga autorët e tij, do të kishin shkaktuar në infrastrukturën tonë digjitale dhe në infrastrukturën tonë të shërbimeve një dëm po aq të madh sa kanë shkaktuar në qytetet e Ukrainës raketat e bombat ruse. Pasojat per qytetaret shqiptare do të kishin qenë të jashtëzakonshme.

-Ky nuk është një ekzagjerim, pasi Shqipëria ështe sot një vend, që ofron 95% të shërbimeve online dhe nëse ky sulm do të kishte qenë i suksesshëm aftësia jonë për të ofruar shërbimet do të ishte kompromentuar shumë.

*Tibo News