Asambleja e PS me dyer të mbyllura, Rama: Jo ndryshim, por riorganizim

Kryeministri i vendit Edi Rama foli para mbledhjes së Asamblesë së PS-së e cila do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Rama qartësoi se në mbledhjen e sotme do të kryhet një analizë dhe riorganizim i kësaj “familjeje politike”, por jo ndryshime të rëndësishme.

Rama tha:

“Kjo është një mbledhje pune, raportimesh, diskutimesh në lidhje me hapat e tjerë që do të ndiqen në funksion të objektivit për të riorganizuar terësisht Partinë Socialiste dhe për ta bërë gati për fitoren e radhës.”

Kreu i qeverisë nuk pranoi të komentonte lidhur me ish-ministrin Arben Ahmetaj, por theksoi:

”PS është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe jemi shumë të vetëdijshëm që është e nevojshme një hapje e madhe e partisë dhe përfshirje sa më e gjerë e të gjithë atyre që duan të kontribuojnë dhe kërkojnë hapësirë me të drejtë. Sot nuk kemi asnjë plan për të bërë ndryshime, jemi për të bërë një analizë dhe për të ndërmarrë veprime të tjera. Fjala ndëshkim nuk i shkon organizimit të një familjeje poltiike, riorganizim nënkupton lëvizje në të mirë të bërjes së punës”.

Në fokus të mbledhjes do jetë gjendja e çdo baze dhe strukturave të PS, ndërsa pritet të mbajë një fjalim Rama, me mesazhe politike krahas porosive.