Asamble Kombëtare për 5 orë, Rama përgjigjet edhe për çështjen ‘Ahmetaj’

Kryeministri Edi Rama vendosi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me Arben Ahmetaj. Pas mbledhjes së Kongresit të Partisë Socialiste që zgjati rreth 5 orë ditën e djeshme, Rama tha se sa kohë kjo është një çështje e drejtësisë, nuk mund të merret me këto akuza.

“Dinë shumë mirë t’i ndajnë broçkullat nga thelbi dhe për pyetjet që më bëni, është një pyetje e tepërt, e kotë, e përsëritur që ka vetëm një përgjigje. Partia Socialiste, unë dhe të gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë dhe çdokush që ka çështje me drejtësinë i ka me drejtësinë. Ka një karakteristikë të përgjithshme të gjithë atyre që kanë çështje me drejtësinë, që ndihen viktima të forcave të errëta apo të forcave të tjera, por nuk është fare për mua dhe për ne ta shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t’i zgjidhi me drejtësinë. Nuk bën përjashtim askush për asnjë arsye. PS nuk bën komente mbi komentet e kujtdo që ka punë me drejtësinë kjo vlen për të gjithë dhe nuk do të ndryshojë. Kemi sot një ditë të re në rrugëtimin e gjatë, kemi një pikë të re strukturën antikorrupsion për të bërë të mundur atë që deri dje dukej e pamundur. Koha kur flamuri i secilës parti ishte gjethe fikur ose çarçaf për të mbuluar hijet më trup ka vdekur”.

 Pas mbledhjes maratonë prej 5 orësh të Asamblesë Kombëtare, Rama tha se ndihej i kënaqur nga rezultatet. Megjithatë, Rama shtoi se nuk munguan kritikat, por jo nga ai, por ndërgjegjja e çdonjërit prej anëtarëve të Asamblesë pas rezultateve të prezantuara.

“Kemi konstatuar me kënaqësi që në këtë proces paraprak kanë marrë pjesë aktivisht mbi 55 mijë anëtarë të Partisë Socialiste. Ka pasur një sërë problematikash të lidhura me organizimin, me komunikimin me të gjithë anëtarët, duke patur parasysh që ka patur lëvizje demografike të brendshme edhe nga brenda-jashtë, edhe nga jashtë-brenda. Unë kam pakënaqësi për çdo gjë që bëj vetë, për çdo gjë që bën qeveria, për çdo gjë që bën Partia Socialiste, sepse pakënaqësia më ka çuar dhe më çon përpara dhe pa pakënaqësi do të thotë që nuk kemi më asgjë për t’i dhënë këtij vendi dhe shyqyr që kemi pakënaqësi dhe shyqyr që bashkëjetojmë me nevojën për të qenë të pakënaqur, sepse po ramë në vetëkënaqësi, atëherë nuk kemi më funksion.0

Kongresi dhe analiza e PS vjen si domosdoshmëri një vit përpara zgjedhjeve të vitit 2025, që Rama beson fort se do sjellë fitoren më të thellë që ka shënuar forca që drejton.