
ARRSH, rruga e Rinasit me 2 kahe lëvizjeje
Qarkullimi në rrugën drejt aeroportit të Rinasit do të jetë me 2 kahe lëvizjeje, njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar.
“Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
ARRSH-ja sqaron se për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit.
Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes.
Për 3 ditë me radhë banorët e fshatrave rreth aeroportit të Rinasit protestuan për vendimin e ARRSH-së për kalimin e mjeteve vetëm me një sens drejtimi drejt aeroportit.
Ata deklaruan se u detyruan që të kryenin më shumë kilometra rrugë për të shkuar në destinacionet e tyre.