Arrihet marrëveshja paraprake mes liderëve/ BE do i japë Ukrainës përfitimet nga asetet e ngrira ruse

Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord në parim që shumica e të ardhurave nga asetet e ngrira ruse t’ia jepen Ukrainës.

Një propozim i tillë mund të gjenerojë 3 miliardë euro këtë vit, Ukraina do të marrë miliadin e parë në korrik, sipas presidentes të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen zbuloi gjithashtu se BE-ja po rishikon rritjen e tarifave për grurin rus, përfshirë drithin e vjedhur ukrainas, që hyn në tregun e BE-së. Marrëveshja vjen pas gati një viti negociatash mbi bazën ligjore për sekuestrimin e 190 miliardë eurove.

Se si do të ndahen fondet ende nuk është vendosur, por propozimi ishte që të përdorej 90% për programet ushtarake dhe 10% për rindërtimin, me potencialin që disa para të pëdoreshin për financimin e BE-së për misionet paqeruajtëse në mbarë botën.

Por një veprim i tillë ka rreziqe ligjore, pasi ekziston mundësia që paratë të kthehen pas luftës nëse Rusia ndërmerr veprime ligjore.

Të mërkurën, Kremlini tha se një veprim i tillë do të ishte një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar, por diplomatët e BE-së thanë se të gjithë ishin dakord që fitimet nga asetet e ngrira mund të përdoren në Ukrainë.

Volodymyr Zelensky u kishte kërkuar liderëve të BE-së të rrisin mbështetjen për të mbrojtur qytetet lindore nga bombardimet ruse, duke përfshirë përdorimin e aseteve të ngrira.