
Arrestimi nga SPAK, Pandeli Majko merr mandatin e ish-deputetit Bllako
Rikthehet në Kuvend Pandeli Majko. Ky i fundit ka pranuar të marrë mandatin e lënë nga Alqi Bllako.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar kalimin e mandatit të deputetit te socialisti Majko si kandidati i radhës më i votuar në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Majko qe renditur i 19-ti në listën fillestare të kandidatëve të PS-së për zgjedhje. Ai nuk mundi të thyejë herësin për të marrë postin e deputetit, pasi mblodhi 8,790 nga 12,602 vota që duheshin.
Ndryshe arriti Bllako, i cili megjithëse ishte renditur 17-ti, ia doli të ishte në listën e fituesve. Por Bllako nuk e gëzoi dot mandatin më shumë se një vit, kjo për shkak të çështjes së koncesionit të menaxhimit të mbetjeve urbane për qarqet Fier dhe Elbasan, ku ai, së bashku me ish-ministrin Lefter Koka akuzohen për korrupsion dhe ndërhyrje në procedura.
Për t’i hapur rrugë hetimeve, Bllako deklaroi tërheqjen nga mandati dhe në fund të muajit mars iu dorëzua policisë, ku aktualisht është në paraburgim në pritje të përballjes në gjyq me çështjet që akuzohet.