AlbanianEnglish

Armando Duka dërgon “të fortët” për të manipuluar zgjedhjet në Gjirokastër

Dështon zgjedhja në Shoqatën e Futbollit të Gjirokastrës, mbështetës të Berishës dhe individë me kapuça të zinj ndërhyjnë në proces.

Pas Tiranës, Durrësit, Fierit edhe Korçës, Armand Duka dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit vijojnë presionet dhe manipulimet ndaj delegatëve për zgjedhjet që pritej të zhvilloheshin sot në Gjirokastër. Shumica e anëtarëve të SHRF-së Gjirokastër bojkotuan procesin e zgjedhjeve, duke kundërshtuar procedurën abuzive dhe manipulative të ndjekur deri më tani nga zyrtarët e Armando Dukës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo e fundit, mësohet se nuk ka dorëzuar listën e shoqatave pjesëmarrëse në këto zgjedhje që ishin parashikuar të mbaheshin për ditën e sotme, duke vënë në rrezik procesin përmes mungesës së transparencës.

Por, që në orët e para të mëngjesit, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Arben Dervishi, i shoqëruar nga persona të paidentifikuar me kapuçë të zinj, kanë nisur presionet ndaj njerëzve të sportit në Gjirokastër, për të trukuar rezultatin e zgjedhjeve për delegatët. Dervishi, që është edhe biznesmen, njihet si një nga njerëzit më të besuar të Armando Dukës.

Siç duket edhe nga fotot, si mbështetje për të shtuar presionet ka ardhur nga Tirana edhe Altin Çomo, ish Kryetar i Bashkisë Libohovë i emëruar nga Partia Demokratike. Çomo ka mbajtur pozicionin e Kryetarit të PD në Libohovë, si dhe ka qenë i emëruar si Këshilltar i Bujar Nishanit dhe gjithashtu, është shfaqur publikisht në krah të ish-kreut të PD, Sali Berisha, ku e shfaq hapur bindjen e tij me dy gishtat lart. Çomo konsiderohet nga bota e sportit edhe si kamikaz i Armando Dukës, ndërkohë që lidhjet me vëllezërit Duka kalojnë edhe ato të sportit.

Duke qenë se shumica e anëtarëve të SHRF-së Gjirokastër kanë vendosur të mos bëhen pjesë e këtij procesi farsë, ata pritet t’i drejtohen Prokurorisë së Gjirokastër për të nisur një kallëzim penal ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila mësohet se ka përfshirë njerëz të panjohur për t’i bërë pjesë të procesit në mënyrë të parregullt dhe manipuluar atë.

Arsyeja pse disa persona me kapuçë të zinj shoqërojnë përkrahësit e Armando Dukës dhe Sali Berishës në vendin ku është parashikuar të mbahet mbledhja e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër duhet të jetë intimidimi i anëtarëve të shoqatës.

You don't have permission to register