
Anulohet ‘Sunny Hill’, këtë vit as në Tiranë, as në Prishtinë
Festivali “Sunny Hill” për këtë vit nuk do të organizohet as në Shqipëri, as në Kosovë. Organizatorët kanë bërë një njoftim se për shkak të ndërtimit të një hapësire të re, datat e mbajtjes së festivalit janë zhvendosur për në gushtin e vitit 2024.
“Ka ardhur koha ta bëjmë një hap tjetër të madh përpara. Këtë vit, ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të festivalit në Bërnicë. Një vend i cili ua mundëson gjithë pjesëmarrësve ta marrin përvojën më të mirë që ata të gjithë e presin dhe meritojnë. Përjetimet e paharrueshme që i sjell ‘Sunny Hill Festival’ janë më të rëndësishmet. E pjesëmarrësit në festival e meritojnë absolutisht më të mirën. Ruani datat për një edicion masiv të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024,”- thuhet ndër të tjera në deklaratën e Sunny Hill Festival.
Sunny Hill Festival është një prej festivaleve më të ndjekura në Evropë dhe vetëm vitin e kaluar, për shkak të një “problemi” me vendin ku do të zhvillohej, u vendos që të zhvillohej në Tiranë. Në vitin 2022, Festivali Sunny Hill u vendos të mos mbahet në Prishtinë, pasi organizatorët tërhoqën fillimisht nga eventi për shkak të vonesave proceduriale nga qeveria e Kosovës. Për shkak të vonimit në marrjen e një vendimi përfundimtar për të drejtën e përdorimit të tokës, themeluesi Dukagjin Lipa informoi kryesitë shtetërore për vendimin e tërheqjes së festivalit nga Prishtina. Megjithatë, më vonë, palët u pajtuan dhe festivali u mbajt në të dy vendet. Kësaj here, kjo situatë nuk ndodh!
“Ne besojmë se nxitimi i procesit të punës do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që Sunny Hill Festival përfaqëson. Duke qenë edhe vet fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024,” – thuhej në deklaratë.