Ankesat tek Inspektorati, mbizotërojnë ato për punën në ditë festash dhe orët shtesë

Të paktën 800 ankesa janë paraqitur vitin e kaluar në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se arsyeja kryesore për këtë ka qenë qasja që punëdhënësit kanë pasur ndaj punëmarrësve, duke mos paguar punën në ditët e pushimit, apo orët shtesë.

“Gjatë vitit 2023, janë depozituar në total 800 ankesa/kërkesa, të cilat janë trajtuar kryesisht përmes proceseve të mirëfillta të inspektimit. 100% e kërkesave për sqarime ligjore kanë marrë përgjigje, duke ndikuar në qartësimin e situatave dhe indirekt në zbutjen e konflikteve potenciale.

Numri më i madh i denoncimeve të adresuara dhe të trajtuara nga ISHPSHSH janë për shkelje të të drejtave dhe mospërmbushje të detyrimeve të punëdhënësve kundrejt punëmarrësve, të cilat përfshijnë mospagesën për punë të kryer në ditët e festave zyrtare, ditë të pushimit javor, punë të kryer në orë shtesë, moslidhje kontrate pune, dhe çështje të ngjashme” thuhet në raportin vjetor të Inspektoratit.

I njëjti raport ndalet edhe tek inspektimet që janë kryer si efekt i ankesave që kanë shkuar pranë Inspektoratit ku janë të paktën tre sektorë që dominojnë.

Gjatë vitit 2023, inspektime si efekt i denoncimeve nga të tretë apo ankesa rezultojnë gjithsej 544.

“Në bazë të llojit të aktivitetit ekonomik të subjekteve, inspektuar për shkak ankese gjatë vitit 2023, rezulton se sektorët, punëmarrësit e të cilëve adresojnë më shumë ankesa janë:

– 38% i takojnë Aktivitete “Të tjera”, ku bëjnë pjesë Ndërmarrjet Shtetërore, SHPSF (Shoqëritë e Ruajtjes së Sigurisë Fizike), Arsim, etj

– 25% janë në Sektorin e Tregtisë (H-B-R), i cili vijon të ketë problematika për respektimin e kontratave të punës për punëmarrësit.

-20% janë në Ndërmarrje Prodhuese ku numri më i madh i përket sektorit fason, që gjatë këtij viti është shoqëruar me luhatje të tregut dhe rrjedhimisht ka dhënë ndikim dhe në raportet e punësimit me punëmarrësit/et

Në 544 subjektet të inspektuar në kuadër të ankesave, kanë rezultuar të punësuar gjithsej 35,916 punëmarrës nga të cilët 53% femra./Monitor/