
Anija kozmike kineze fotografon plotësisht planetin Mars
Një anije kozmike kineze pa ekuipazh ka marrë të dhëna të plota imazherike për të gjithë planetin Mars, duke përfshirë pamjet vizuale të polit jugor.
Agjencia shtetërore e lajmeve raportoi të mërkurën se Tianwen-1 siguroi pamje të planetit të kuq pas 1300 rrotullimesh të kryera në orbitën e tij.
Tianwen-1 nisi rrotullimet rreth Marsit në shkurt të vitit 2021. Që atëherë, kontrolli robotik i vendosur në brendësi të anijes e drejtoi atë përgjatë orbitës së planetit deri në fund të misionit.
Ndër imazhet e marra nga hapësira ishin fotografitë e polit jugor të Marsit, ku tregohen pothuajse të gjitha burimet e dyshuara ujore të planetit.
Në vitin 2018, një sondë orbitale e operuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës zbuloi ujë nën akullin e polit jugor të planetit.
Vendndodhja e ujit nëntokësor është çelësi për përcaktimin e potencialit për jetë të planetit të Kuq, si dhe sigurimin e një burimi të përhershëm për çdo eksplorim të ardhshëm njerëzor atje.
Imazhet e tjera të Tianwen-1 përfshijnë fotografi të kanionit “Valles Marineris” prej 4000 kilometrash dhe kratereve goditëse të malësive në veri të Marsit të njohura si “Terra Arabia”.
Tianwen-1 dërgoi gjithashtu imazhe me rezolucion të lartë të skajit të kraterit të madh Maunder, si dhe një pamje nga lart-poshtë të Ascraeus Mons 18,000 metra të lartë, një vullkan i stërmadh i zbuluar për herë të parë nga Mariner 9 i NASA-s anije kozmike më shumë se pesë dekada më parë.