
AniFest sjell risi në edicionin e 13-të
“AniFest” çeli siparin në Gjirokastrën tradicionale në edicionin e saj të 13-të. Sërish qyteti i gurtë pret aktivitetin ku në fokus është filmi për fëmijë, arti dhe kultura.
Për katër ditë radhazi, në festival do të shfaqen filma të përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare si dhe nga platforma Tibo si media partnere.
Këtë vit AniFest ka edhe një risi, pasi eventi është licensuar nga European Children Film Asociation, (ECFA).
Pikërisht ECFA ka sjellë si juri ekspertë nga vende të ndryshme, të cilët do të vlerësojnë filmat e zgjedhur nga më shumë se 30 shtete të botës.
Mes tyre ka filma të animuar, filma me metrazh të shkurtër, me tematika sociale, edukuese, por dhe argëtuese.
Filmi fitues do të shfaqet në Berlinale ku do të zhvillohet ceremonia gala, e ku do të mblidhen krijues nga e gjithë Europa.
Krahas jurisë së ekspertëve, do të jenë edhe vetë fëmijët, të cilët do të vlerësojnë filmin më të mirë, pasi tashmë edhe ata kanë një juri paralele të përzgjedhur me përfaqësues të denjë.
Ata janë 9 fëmijë, të cilët bënë prezantimet në ditën e parë të festivalit, që u mbajt tek Kinemaja e Re në Gjirokastër.
Drejtuesja artistike e Festivalit, Eneida Xhelili nën drejtimin e regjisorit dhe producentit Artan Maku, tha kanë kaluar në një proces përzgjedhje me faza plot 508 filma.
Ajo tregoi për Tibo News risitë, por edhe pritshmëritë për festivalin që mbahet fillimisht në Gjirokastër e më pas në Shkodër.
E pranishme në nisjen e aktivitetit, që shoqërohet me evente të tjera në qytet, ishte edhe Doriana Demo, drejtuese e Drejtorisë së Arsimit Gjirokastër.
Ajo foli për rëndësinë që kanë festivale të tilla për fëmijët dhe konsideratën për organizimin tashmë traditë.