AlbanianEnglish

Angela Merkel merr çmimin për emigrantët që iu hapi dyert

Ish kancelarja gjermane Angela Merkel, është vlerësuar për guximin e saj të madh në aspektin moral dhe politik, lidhur me mbështetjen ndaj azilkërkuesve.

68-vjeçarja ka marrë çmimin ‘Nansen’ nga agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR).

Gjatë mandatit të Merkelit, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në kulmin e krizës së emigrantëve të viteve 2015-2016. Në atë kohë, Merkel tha vendimi ishte “një provë për vlerat tona evropiane si rrallë herë më parë”.

Duke komentuar çmimin, shefi i UNHCR-së Filippo Grandi vlerësoi vendosmërinë e Merkelit për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe parimet humanitare.

Vendimi i Merkel-it për t’ju hapur dyert aq shumë emigrantëve, nxiti partinë e ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’ dhe rezultoi me protesta nga një pakicë e zëshme.

Merkel në atë kohë u kritikua nga disa qeveri, se ishte treguar shumë miqësore kur disa shtete partnere të Bashkimit Europian po mbyllnin kufijtë për refugjatët dhe azilkërkuesit.

Çmimi Nansen që jepet çdo vit, u krijua në 1954 për nder të Komisionerit të parë të Lartë të OKB-së për Refugjatët, eksploruesit norvegjez arktik dhe humanitar Fridtjof Nansen, si një mënyrë për të shpërblyer arritjet e jashtëzakonshme në humanitarizëm.

Merkel do të marrë çmimin e saj së bashku me 151 mijë euro, gjatë një ceremonie në Gjenevë, Zvicër më 10 tetor.

*Tibo News

You don't have permission to register