Andrew Tate përjashtohet nga Instagram dhe Facebook

Ish-banori i Big Brother në Britani Andrew Tate, është përjashtuar nga faqet e rrjeteve sociale Instagram dhe Facebook pasi ka shpërndarë një sërë videosh shqetësuese.
Ish-ylli i Reality Show 35-vjeçar bëri bujë gjatë muajve të fundit për videot e tij të konsideruara fyese, e të shpërndara nga mbi katër milionë ndjekës.

Në videot e postuara ai fliste shpesh për gratë dhe ‘shtypjen’ e tyre nga burrat.

Ylli britaniko-amerikan ka deklaruar se gratë duhet të mbajnë njëfarë përgjegjësie për sulmet që iu ndodhin dhe kjo sipas rregullave të rrjeteve sociale do të thotë shkelje e politikave në lidhje me ‘organizatat dhe individët e rrezikshëm’.

Andrew Tate u bë i famshëm në vitin 2016 si pjesë e reality show-t, por në muajt e fundit pati një rritje të ndjekësve kryesisht në Instagram me një milion ndjekës në qershor kundrejt 4.7 milionë në kohën e heqjes së llogarisë së tij.
Platforma Meta nuk ka dhënë ende detaje për heqjen e faqeve të tij, por përdoruesit e tjerë të rrjeteve sociale kanë qenë të zëshëm në lidhje me përmbajtjet e postmeve të tij dhe se si mesazhet e tij përbënin kërcënim për gratë.

Sa i përket TikTok-ut, videot me hashtag #AndrewTate kanë marrë gjithsej 12.7 miliardë shikime.
Videot në YouTube janë klikuar shumë gjithashtu, në të cilat ai e deklaron veten si mizogjen.

“Unë jam realist dhe kur je realist je seksist. Nuk ka asnjë mënyrë që të jesh i rrënjosur në realitet dhe të mos jesh seksist”, thotë ai në një prej videove, në të cilën po intervistohej nga një tjetër YouTuber.

Ai vazhdoi t’i quante gratë shumë dembele dhe pretendoi se nuk ekziston ideja e një femre të pavarur.

“Nëse kam përgjegjësi mbi të, atëherë duhet të kem një shkallë autoriteti. Nuk mund të jesh përgjegjës për një qen nëse nuk të bindet.”

Kjo nuk është hera e parë që Tate i nënshtrohet akuzave për mizogjini, pasi u dëbua nga shtëpia e BB gjashtë vjet më parë për një video ku u shfaq duke sulmuar një grua.

Ai më parë e quajti klipin një “gënjeshtër totale”, duke pretenduar se gruaja në fjalë po përpiqej ta nxirrte keq atë në sytë e publikut.
Influenceri ende nuk ka komentuar për ndalimin e tij në Instagram dhe Facebook.

*Tibo News