Andia Pirja, 27-vjeçarja një jetë kushtuar makinave

Andia Pirja është vetëm 27 vjeçe. Ka lindur duke udhëtuar, është rritur e shkolluar duke udhëtuar, dashuron të kapë ëndrrat, gjithmonë e sigurt me duart në timonin e jetës.

Andia ka mbledhur pas vetes edhe shumë vajza të tjera që janë të apasionuara pas makina dhe garave nën emrin “SHOTAT”.

“Meqë isha e futur thellë në fushën e automobilizmit vendosa që të mblidhja ato goca që njihja dhe që të flisnim për pasionet tona. Gjatë periudhës së pandemisë krijova grupin në instagram. Janë të paktën 15 goca dhe kemi shumë që na shkruajnë”, thotë për Report TV.

Ajo ka vendosur të ndjekë udhën e babait të saj duke punuar në servisin e makinave.  Përveç kësaj është pilote garash, ekonomiste dhe aventuriere. Megjithatë të gjithë e njohin sot si Andia e makinave.

“Ne po i tregojmë Shqipërisë se gruaja është e barabartë me mashkullin. Të jesh vajzë që merresh mirëfilli me makina është pak e vështirë”. Kjo që shikoni këtu është një Benz i vitit 1963. Ka nevojë për lyrje dhe disa rregullimeve teknike. Nga ana motorike është e mirë. Për vitin e prodhimit ka shumë pak km të bëra. Është e rrallë të gjesh këto makina”, shprehet Andia, teksa vëren me imtësi motorin e makinës.

Andia ka arritur të thyej tabutë se këtë profesion mund ta bëjnë vetëm burrat. Frymëzimin dhe pasionin për profesionin e ka nga gruaja e shkruar në gërmat e historisë shqiptare.

“Shote Galica ka qenë personazhi im i preferuar që në vogëli. Ashtu siç Shote ka thyer paragjykimet, tabutë dhe ka dal në luftë ashtu dhe Shotat sot kanë thyer paragjykimet”.