Analizë e qeverisë në Shëngjin, Rama i shtrin dorën opozitës për ligjet në Kuvend

Kryeministri Edi Rama ka bërë një analizë të detajuar të qeverisë së tij por jo vetëm. Ai kërkoi analizë edhe për angazhimin në parlament.

Rama ka kërkuar komunikim me opozitën për të kaluar në Parlament ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.

Në listën e projektligjeve është edhe amnistia për të burgosurit. Ndërsa komisionit të reformës zgjedhore pritet t’i zgjatet mandati pas muajit Mars, me qëllimin për të realizuar rekomandimet e OSBE -ODHIR.

Një reformë që mbetet sfidë për PS pasi kërkon 84 vota, detyrimisht një konsensus me opozitën.

Mazhoranca është e vendosur që komisionet parlamentare të zhvillohen online, me shpresën se opozita do reflektojë dhe do tërhiqet nga aksioni i mosbindjes civile.

Pjesa e dytë e mbledhjes së pasdites u zhvillua më e zgjeruar dhe u fokusua për programin e qeverisjes në 4 shtyllat, administratën publike, inovacionin, projektin pilot të regjistrimit të pronave dhe shërbimet, të cilësuara si prioritetet e qeverisë.

Rama postoi në rrjetet sociale vetëm foto nga takimi i parë analizës që u zhvillua për 11 orë pa dhënë zbuluar ndonjë vendim konkret.

Ndonëse ende i padekretuar nga presidenti, në mbledhje i pranishëm ishte edhe Blendi Gonxhe, i propozuar nga Rama në postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në ditën e dytë të mbledhjes do të vijohet me prezantimin e konkluzioneve të takimit të parë dhe caktimin e detyrave për mazhorancën në Parlament, ministrat e institucionet, ndërsa parashikohet dhe një mbledhje e qeverisë.