Amnistia Penale, socialistët gati të pranojnë propozimet e opozitës

Socialistët do pranojnë propozimin e demokratëve, konkretisht të deputetit Ferdinand Xhaferi për të përfshirë në listën e përfituesve të amnistisë penale edhe afro 350 persona të dënuar apo që janë në proces gjyqësor për akte dhune gjatë protestave të organizuara nga opozita. Vendimi u diskutua në mbledhjen e grupit parlamentar të PS. Ky hap duket si një shtrirje dore nga ana e socialistëve për të bindur opozitën që të votojë pro amnistisë.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë ka shprehur nevojën për të përshpejtuar miratimin e amnistisë penale. Sipas tij situata e mbipopullimit në burgje bën urgjente lirimin e përfituesve që duke përfshirë dhe propozimin e opozitës e çon në afro 1 mijë numrin e atyre që fitojnë lirinë apo që mbyllin proceset në gjykata.

Por në mbledhje është diskutuar dhe mbi propozimin e socialistëve për të përfshirë në listën e përfituesve edhe të dënuarit që kanë ndërtuar pa leje për qëllime strehimi.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka zbardhur vendimin për këtë çështje, pasi të botohet në Fletoren Zyrtare heq pezullimin që kjo gjykatë i bëri shqyrtimit të marrëveshjes në parlament.