Amfiteatri i Durrësit, metamorfoza e aseteve të trashëgimisë kulturore

Amfiteatri i Durrësit është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe është ndërtuar në fillim të shekullit të II-të, gjatë sundimit të perandorit Trajan. Monumenti që tregonte nivelin e lartë social-ekonomik të qytetit u ndërtua për të argëtuar banorët gjatë ndeshjes së gladiatorëve me njëri-tjetrin apo me kafshët ekzotike.

Amfiteatri i Durrësit doli në dritë pjesë-pjesë në vitin 1966. Arkeologu Vangjel Toçi, i konsideruar “babai i arkeologjisë” në Durrës, mundi të zbulonte pjesën më të madhe të monumentit antik gjatë gërmimeve intensive të viteve 1967-1970.

https://www.youtube.com/watch?v=ZF62Z64zYaQ

Ndërtuar 19 shekuj më parë, për amfiteatrin e Durrësit, kishte prova edhe para zbulimit nga arkeologët. Njëra prej tyre, ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.

Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 351 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër.

Amfiteatri 1800-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.

Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit.

Amfiteatri gjendet brenda Zonës A të riskut arkeologjik, ku nuk lejohen ndërhyrjet ndërtimore nëntokësore të reja dhe brenda atij që sot përbën Parkun Arkeologjik të Durrësit.

Galeria veriore është fjalë për fjalë e zhytur në kodër, prandaj mozaikë dhe pikturat e murit janë ruajtur në mënyrë të përkryer në këtë pjesë. Gjithashtu në kompleksin e amfiteatrit gjenden banjot romake, dhomat e hotelit, dhomat e përbashkëta të ndërrimit.

Monumenti përfaqëson sot metamorfozën që kanë pësuar shumë asete të trashëgimisë kulturore

Pavarësisht lashtësisë, amfiteatri ruhet në mënyrë të përkryer në ditët tona dhe është lehtësisht i vizitueshëm nga të gjithë. Madje mund të themi se ky amfiteatër është momentalisht një nga pikat më të vizituara jo vetëm për qytetin bregdetar, por dhe për të gjithë Shqipërinë.