
American Airlines projekton kalimin te avionët supersonikë
Linja ajrore American Airlines njoftoi këtë javë se do të blejë rreth 20 avionë ultra të shpejtë nga “Boom-Supersonic”. Kjo është kompania e dytë amerikane që planifikon t’i shtojë flotës së saj aeroplanë më të shpejtë se sa zëri.
Prodhuesi i avionëve Boom thotë se avionët e “Overture” pritet të transportojnë pasagjerë me dyfishin e shpejtësisë së aeroplanit më të shpejtë për udhëtarë që fluturon tani.
American Airlines thotë se ka rezervuar njëzet avionët fillestarë “Overture”, me opsionin për të blerë edhe dyzet të tjerë.
Vitin e kaluar, kompania tjetër, United Airlines ra dakord të blinte 15 avionë të tillë pasi ata plotësuan disa nga kërkesat e sigurisë, funksionimit dhe qëndrueshmërisë.
Por ndërsa ky lloj avioni ka si qëllim të thyejë kufijtë e zërit, udhëtarët do të duhet të presin disa vite për të rezervuar bileta në to.
Kompania “Boom” tha se avioni nuk është planifikuar të dalë për përdorim përpara vitit 2025 dhe nuk do të transportojë pasagjerë përpara vitit 2029.
Epoka e fluturimeve të rregullta supersonike dukej se kishte përfunduar në vitin 2003, kur Concorde,i drejtuar nga Air France dhe British Airways, u tërhoq pas 27 vitesh shërbim.
Sindikatat e pilotëve dhe punonjësve të American Airlines, kritikuan marrëveshjen, duke thënë se kompania duhet të fokusohet në reduktimin e anulimeve dhe vonesave që kanë kapluar fluturimet e këtij viti.
*Tibo News