Ambasada e SHBA reagon për mashtrimet me vizat amerikane

Ambasada amerikane ka falenderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA, pasi kjo çoi në arrestimet për mashtrim me viza dhe kontrabandim të njerëzve.

Njësia e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar u krijua pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë në vitin 2012 dhe është përgjegjëse për kryerjen e hetimeve penale në lidhje me lëshimin ose përdorimin e paligjshëm të pasaportave ose vizave; vjedhjet e identitetit dhe/ose mashtrimin me dokumente që prekin ose lidhen me programet, funksionet ose autoritetet e Departamentit të Shtetit të SHBA, si dhe krimet që lidhen me terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e qenieve njerëzore dhe lloje të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar. Ambasada e SHBA është e përkushtuar të hetojë dhe të punojë me partnerët tanë për të ndjekur penalisht ata që kryejnë mashtrime me viza.

Pesë persona ranë në pranga në Tiranë pasi mashtronin me vizat amerikane dhe kontrabandonin njerëzit.

Njoftimi nga policia: 

Në vijim të këtyre hetimeve, më datë 08.02.2024, janë arrestuar dhe vënë në ekzekutim 5 vendime gjykate për masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për 6 persona: Renato Nasto, Klea Prifti, Klaus Kapedani, Klaudio Leçini dhe Xhemal Seseri, si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore. Në disa raste i dyshuari kryesor Renato Nasto ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane. Vazhdojnë hetimet për persona të tjerë fizikë dhe juridikë, apo subjekte të tjera të perfshira në këto skema mashtrimi me viza amerikane dhe kontrabandim të qenieve njerëzore”.