Altin Çoku para gjykatës: Nuk e publikova unë foton e Sibelës

Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e sigurisë Arrest me Burg për Altin Çokun, i cili u akuzua si shkaktari i vetëvrasjes së 27 vjeçares në Kamzë, Sibela Abedini, pasi iu publikuan foto intime në rrjetet sociale.

Altin Çoku është mbrojtur duke thënë se arrestimi i tij është bërë në mënyrë të paligjshme pasi sipas tij foton intime të të ndjerës e ka publikuar në rrjetet sociale si TikTok një tjetër person.

Para gjykatës ai ka thënë:

“Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme sepse dihet se kush e ka publikuar foton. Foton e ka nxjerrë shtetasi A.H., i keni mesazhet në telefonin e vajzës së ndjerë”.

Kujtojmë se 27-vjeçarja Sibela Abedini u vetëhodh nga kati i katërt i pallatit në Kamzë ku jetonte, pas publikimit në rrjetin social TikTok të një fotoje intime të saj me Altin Çokun.