Aleksandar Vuçiç fiton sërish zgjedhjet në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të hënën se partia e tij arriti fitore domethënëse në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe presidenciale që u mbajtën të dielën duke siguruar një tjetër mandat për drejtimin e vendit.

Vuçiç tha se Partia Progresive e Serbisë ka siguruar votat e nevojshme për të shmangur çdo lloj balotazhi me grupin më të madh opozitar të drejtuar nga Zdravko Ponos. Sipas Vuçiç, partia e tij ka marrë rreth 60% të votave ndërsa ai vetë ka siguruar mandatin e dytë si president.

Në deklaratën për shtyp Vuçiç mohoi çdo pretendim për parregullsi, apo dhe përplasje në disa zona zgjedhore. Ai e konsideroi procesin tejet të rregullt.

Serbia ka rreth 7 milionë banorë. Të dielën ata iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e parlamentit prej 250 vendesh, si dhe për të votuar edhe për presidentin. Komisioni zgjedhor tha se pjesëmarrja e votuesve ishte rreth 60%, një rritje prej gati 10% nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2020.

Serbët nga disa zona të Kosovës morën gjithashtu pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Beogradi zyrtar u siguroi atyre rreth 40 autobusë për të lëvizur drejt qendrave të votimit në veri, kjo pasi autoritetet në Prishtinë refuzuan të lejojnë qendra në komuna të tjera.

Pushtimi rus i Ukrainës hodhi hije mbi garën që analistët politikë më herët kishin parashikuar se do të fokusohej te çështjet mjedisore, korrupsioni dhe të drejtat e nëpërkëmbura.

Por Vuçiç përdori në avantazhet e tij ndasitë me BE-në dhe sidomos menaxhimin e pandemisë së koronavirusit duke premtuar vazhdimësi në rritje ekonomike dhe stabilitet.

Pas deklaratave të Vuçiçit, kandidati kryesor i opozitës serbe Zdravko Ponos u zotua të vijojë përpjekjet për të ndryshuar pushtetin e Beogradit.