
“Albania Guitar Festival”, vjen për të gjashtin vit
“Albania Guitar Festival” vjen për të gjashtin vit në Shqipëri, i shpërndarë në qytete dhe kalender, nga data 4 deri më 24 qershor, në drejtimin artistik të Denis Bizhgës.
Ky aktivitet synon përhapjen e kulturës dhe edukatës muzikore për brezin e ri dhe jo vetëm.
Bashkëpunimi në këtë festival është edhe në sajë të javëve kulturore.
Hapja e këtij festivali u bë në sallën “Tonin Harapi” me pjesëmarrjen e kitaristit italian Antonio Molfetta.
Megjithatë vendi dhe artisti nuk do të mbetet i njëjti për të gjitha ditët.
“Festivalin e kitarës e kemi menduar ta përhapim në disa data. Ka filluar me datë 4 qershor me Antonio Molfetta-n, më pas me artistin australian Gabriel Navaro-n.
Do të shkojmë në qytetin e bukur të Krujës me një italian tjetër, Nino D’Amico, do të shkojmë gjithashtu në qytetin e Durrësit, për të promovuar artistët e rinj dhe më pas mbyllja do të bëhet në Tiranë me një artist nga Spanja, me Paco Seco-n, një virtuoz i kitarës klasike”- u shpreh Denis Bizhga.
Promovimi i talenteve të reja është një nga shtyllat kryesore të këtij festivali ku në fakt edhe e ka dhënë rezultatin duke pasur parasysh pikën e bashkimit mes artistëve ndër vite.
“Tashmë festivali i kitarës është bërë një pikë orientimi për sa i përket muzikës për kitarë klasike në ballkanin perëndimor dhe prurja e këtyre artistëve të mëdhenj ka sjellë gjithmonë risi, ka sjellë shkëmbime të mëdhaja, por edhe një evidentim të kulturës tonë në rajon, por edhe në Evropë.”
Organizimi i festivaleve të tilla është disi një sfidë, sidomos kur është i përvitshëm dhe me pjesëmarrje të artistëve ndërkombëtarë.
Drejtori artistik tregoi se si është për të kjo lloj eksperience.
“Do thoja shumë e bukur sepse ne nuk na lidh vetëm pasioni, por na lidh edhe miqësia me këta artistë ndërkombëtarë dhe kur gjejmë rastin t’i ftojmë, japim edhe gjithë mikpritjen që na karakterizon ne si vend.”
Vitin e kaluar u synua promovimi i monumenteve kulturore, këtë vit gjithashtu ka të bëje me kulturën, duke pasur parasysh dhe organizimin e javëve.
“Këtë vit kemi menduar që festivalin e kitarës ta kemi në kuadër të javëve ndërkombëtare të kulturës dhe duam të promovojmë sa më shumë në vendin tonë në arenën ndërkombëtare”-shtoi drejtori artistik.
Duke pasur parasysh që ky lloj festivali organizohet për të gjashtin vit radhazi, drejtori artistik, Denis Bizhga tregoi për Tibo News se tanimë kjo ka fituar një traditë.
“Mendojmë që tashmë festivali ka fituar vazhdimësinë e tij dhe gjithmonë jemi në rritje për sa i përket artistëve ndërkombëtarë që marrim dhe niveli artistik gjithmonë ka rritje.”
Ky festival ka fituar mbështetjen e ambasadave italiane, greke dhe spanjolle si dhe nga bashkitë në të cilat organizohet.
*Tibo News