
Alarmet për bombë kanë tronditur Spanjën
Spanja është tronditur ditët e fundit nga alarmet për bombë nga një mori letrash që kanë shënjestruar kryeministrin e vendit dhe ambasadën Ukrainase atje.
Ministria e Brendshme në Spanjë nëpërmjet një deklarate zyrtare njoftoi se një zarf me eksploziv iu drejtua Kryeministrit Pedro Sanchez.
Ky zarf i cili mbërriti në datë 24 nëntor u zbulua dhe u neutralizua nga shërbimet e sigurisë pranë zyrës së Kryeministrit.
Një tjetër zarf i mbushur me eksploziv mbërriti në Ambasadën e Ukrainës në Madrid dhe u hap nga një punonjës i cili mori dëme të lehta nga shpërthimi.
Hetimet mbi këtë situatë janë duke u zhvilluar teksa letra të njëjta janë dërguar edhe në bazën ajrore të Madridit si dhe zyrat e Instalaza e cila merret me prodhimin armëve dhe sistemeve të mbrojtjes ushtarake.
Në selinë e Instalaza letra u neutralizua nga policia kombëtare.
Kjo kompani ka prodhuar edhe sisteme të ndryshme raketash të cilët janë dërguar në Ukrainë.
Sipas autoriteteve spanjolle në shënjestër është edhe Ministria e Mbrojtjes në vend.
Si pasojë e kësaj situate Ministria e Brendshme në Spanjë ka deklaruar se është rritur siguria përreth ndërtesave publike nga sulme të mundshme.
*TiboNews