Alarm i rremë për bombë, valixhja e braktisur ngjall frikë në Rrugën e Kavajës

Policia e Tiranës hapi sot me shpërthim të kontrolluar një valixhe të braktisur në “Rrugën e Kavajës”, e cila dyshohej se ishte me eksplozivë.

Valixhja u konstatua në mesditë rreth orës 12:20 pranë stacionit të autobusit të linjës Kombinat-Kinostudio.

Policia rrethoi zonën dhe u ndaloi lëvizjen kalimtarëve. Rreth një orë më vonë njësia e specializuar kreu hapjen e valixhes me shpërthim të kontrolluar duke u siguruar tërësisht se brenda nuk kishte bombë.

Në fund rezultoi se valixhja kishte brenda vetëm rroba dhe nuk paraqiste rrezik për qytetarët.