Akuzat për Andrew Tate dhe pse u bë shkak Greta Thunberg

Një gjykatë rumune do të vendosë mbi çështjen e Andrew Tate, personalitetit të njohur në internet, kryesisht për gjuhën e urrejtjes. Konkretisht ai është arrestuar prej 30 ditësh pasi dyshohet si i implikuar në trafik të qënieve njerëzore dhe formimin e një grupi të krimit të organizuar për të shfrytëzuar gjashtë gra.

Tate, vëllai i tij Tristan dhe dy të dyshuara femra rumune u arrestuan nga prokurorët rumunë kundër krimit të organizuar në fund të dhjetorit, në pritje të një hetimi penal. Ata kanë mohuar gjithçka përmes një avokati dhe kanë kundërshtuar urdhrin e arrestit.

-Prokurorët kanë thënë se vëllezërit Tate rekrutuan viktimat e tyre duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se duan një lidhje.

Viktimat më pas u dërguan në prona në periferi të kryeqytetit Bukuresht dhe përmes dhunës fizike dhe psikologjike u shfrytëzuan seksualisht duke u detyruar të prodhonin përmbajtje pornografike për faqet e mediave sociale që gjeneruan përfitime të mëdha financiare, sipas prokurorëve.

Prokurorët thanë gjithashtu se njëri nga vëllezërit përdhunoi njërën nga viktimat në mars të vitit të kaluar, kur filloi hetimi.

“Mundësia që të dyshuarit të shmangin hetimin, të largohen nga Rumania dhe të vendosen në vende që nuk lejojnë ekstradimin duke pasur parasysh mundësitë e tyre financiare dhe komentet publike në lidhje me këtë nuk mund të injorohet,” ka thënë gjyqtari i gjykatës në procesverbalin që miraton arrestimin.

Prokurorët kanë sekuestruar 15 makina luksoze dhe mbi 10 prona dhe shtëpi që u përkasin të dyshuarve në qarqet Bukuresht dhe Prahova dhe Brasov. Sekuestrimi kishte për qëllim të parandalonte shitjen ose fshehjen e aseteve.

Nëse gjykata do të mbështesë urdhrin e arrestit dhe hetimit do i duhet më shumë kohë, prokurorët mund të kërkojnë miratim për zgjatje të mëtejshme deri në 180 ditë të paraburgimit sipas ligjit rumun.

Tate u bë i famshëm në internet kryesisht për komentet mizogjene dhe gjuhën e urrejtjes, gjë që e ndaloi atë nga të gjitha platformat kryesore të mediave sociale, megjithëse që kur Elon Musk mori përsipër Tëitter, llogaria e tij u rikthye në nëntor.

Ish-kikbokseri profesionist, i cili ka shtetësi amerikane dhe britanike, ka thënë se gratë janë pjesërisht përgjegjëse për përdhunimin dhe se ato i përkasin burrave. Ai është një mizogjen i vetëshpallur. Në një podcast vitin e kaluar, ai tha se filloi të fitonte para duke bindur shumë të dashura për të biseduar me video dhe për të ndarë fitimet kur ai jetonte në Londër.

“Si mund t’i përdor këto gra për të bërë para?” Ka thënë Tate duke shtuar se biznesi i tij filloi me dy të dashura dhe arriti kulmin me 75 gra që punonin për të dhe fitonin 600,000 dollarë në muaj.

Ai ka thënë gjithashtu se u transferua në Rumani )pasi u hetua në Britani për akuzat për sulm seksual, të cilat përfundimisht u hoqën), sepse i pëlqente të jetonte në vende ku korrupsioni ishte i aksesueshëm për të gjithë.

Tate aktualisht ka 4.4 milionë ndjekës në Twitter, megjithëse shtrirja e përmbajtjes së tij në platformat me video si TikTok ka qenë në shifra më shqetësuese.

Sipas analizës nga Qendra Kundër urrejtjes Dixhitale, mbi 100 llogari që promovojnë shpesh përmbajtjen e Tate kanë grumbulluar gjithsej 250 milionë shikime të videove si dhe 5.7 milionë ndjekës.

Çfarë lidhje ka aktivistja për Klimën, Greta Thunberg?

Duket se sherri virtual mes Gretës dhe Tate luajti rol kryesor në arrestimin e tij, pasi vetëm aty autoritetet zbuluan se ai ndodhej në Rumani. Tate po tallej me komente për aktivisten dhe duke e nxitur që të hiqte dorë nga misioni i saj. Grindja u përshkallëzua pasi Thunberg i tha Tate që t’i drejtonte shqetësimet e tij në “smalldickenergy@getalife.com”, gjë që provokoi një video nga Tate.

Tate shihet në video duke marrë një kuti picash dhe personit që ia jep-(jashtë ekranit)- i thotë të sigurohet që këto kuti picash të mos riciklohen. Jo shumë kohë më vonë, Tate u arrestua nga autoritetet rumune në Bukuresht si pjesë e një hetimi për trafikimin e qenieve njerëzore.

Nuk është ende e qartë nëse kutitë e picave luajtën një rol kyç në arrestimin e Tate, apo vetë sherri me Gretën, por teoria po xhiron kudo në internet duke ngjallur lumë komentesh.

*Tibo News