
AKU: Kujdes produktet e skaduara, thirrja për qytetarët
Një nga shqetësimet e vazhdueshme të konsumatorëve shqiptarë janë produktet e skaduara. Sipas informacioneve të marra nga AKU, përgjatë vitit 2023 ka një rritje të subjekteve që tregtojnë produkte përtej afatit të tyre të përdorimit.”
38 subjekte janë kapur këtë vit me produkte të skaduara, nga 22 të konstatuara një vit më parë. E përkthyer në mall, përgjatë 10 muajve janë gjetur 3.77 ton produkte ushqimore të skaduara.
Rritja e rasteve, sipas AKU vjen edhe si pasojë e rritjes së denoncimeve nga vetë qytetarët.
Nga inspektimet në terren, rezulton se më problematike janë produktet me origjinë shtazore. Rastet më të shumta të tregtimit të produkteve të skaduara hasen në qytetet e mëdha.
Për të shmangur abuzimet dhe pasojat që sjell në shëndet një produkt i skaduar, AKU u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast parregullsie që hasin tek produktet.