
Aktorja e “Game of Thrones” tregon për momentet e vështira me shëndetin
Emilia Clarke, aktorja e njohur që i dha jetë Daenerys Targaryen në serialin “Game of Thrones”, kohëve të fundit ka folur për dy aneurizmat e trurit që pësoi në xhirime.
Aneurizma e trurit është fryrja e enës së gjaku, shkaktuar nga një dobësi në murin e enëve të gjakut, kryesisht aty ku degëzohet.
Aktorja e dashur për publikun, bëri një bisedë me BBC One’s Sunday Morning dhe zbuloi se u kishte mbijetuar dy të tillave, në vite të ndryshme, 2011 dhe 2013.
“Pavarësisht sasisë së trurit tim që nuk është më e përdorshme, është e jashtëzakonshme që unë jam në gjendje të flas, ndonjëherë në mënyrë të artikuluar dhe ta jetoj jetën time normalisht. Unë i përkas vërtet një pakice, me të vërtetë, shumë të vogël të njerëzve që mund t’i mbijetojnë asaj”- u tregoi ajo.
Sipas Independent, kujtesa e Clarke nuk ka pësuar efekte afatgjata, por pavarësisht kësaj, thuhet se ajo vuante nga afazia pas aneurizmave, për shkak të së cilës, në një moment, ajo nuk ishte në gjendje të kujtonte emrin e saj.
Emilia i ka lënë pas problemet mjekësore duke pranuar gjendjen aktuale të shëndetit të saj.
Bazuar edhe në eksperiencën e saj personale, Clarke, në vitin 2019, krijoi një shoqatë bamirësie për të prekurit e sëmundjeve të trurit, të quajtur “SameYou”